Kompleksi i banimit “Emin Gjiku”, i ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XVIII dhe në fillim të shek. XIX, gjendet në bërthamën e vjetër të qytetit të Prishtinës, në verilindje të përfundimit të qendrës aktuale të qytetit, afër Hamamit të Madh dhe Xhamisë së Sulltan Mehmet Fatihut. Ishte pronë e familjes së njohur Gjinolli, nofka e Emin Gjinollit- Emingjik prej nga edhe e merr emrin kompleksi. Kompleksi përbëhet nga dy oborre të mëdha: oborri në hyrje me stallë dhe me një ndërtesë guri dhe oborri i brendshëm në të cilin gjendet shtëpia e familjes dhe shtëpia e mysafirëve, që aktualisht i shërbejnë Muzeut Etnologjik. Ndërtesa e gurit, e rivendosur aty në vitin 1960, është e vetmja ndërtesë e mbetur nga Çarshia e Vjetër. Është ndërtesë njëkatëshe e mbuluar me kulm guri, dikur dyqan farkëtari. Oborret janë të rrethuara me mure të larta, 55 cm të trasha, të ndërtuara me qerpiçë dhe hatulla nga druri. Shtëpitë dhe stalla pasqyrojnë harmoni arkitekturale të proporcioneve dhe të elementeve. Gjatë periudhave të ndryshme kohore (gati dyshekullore), kompleksi ka pësuar ndryshime të shumta si pasojë e ndërrimit të funksionit. Si tërësi, Kompleksi “Emin Gjiku” mbetet një ndër shembujt më të mirë të shtëpive qytetare të fillimit të shek. XIX, është pronë e Muzeut të Kosovës. Bazuar në vlerat historike, artistike, dhe rariteti, aseti Kompleks banimi “Emin Gjiku” - Muzeu Etnologjik në vitin 2016 është shpallur në mbrojtje të përhershme nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.
Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore © 2024