Trashëgimi kulturore përfshinë trashëgiminë kulturore arkeologjike, arkitekturale, të luajtshme, shpirtërore dhe pejisazhin kulturor pavarësisht nga koha e krijimit dhe ndërtimit, tipi i ndërtimit, përfituesit, krijuesit ose implementuesit.
Trashëgimia arkeologjike është tërësia e kulturës materiale e krijuar nga njerëzimi në të kaluarën e cila rrit te kuptuarit tonë për njohjen, strukturën, veprimtarinë dhe kulturën e shoqërive te lashta. Ajo si e tillë ka vlera te çmueshme dhe është e papërsëritshme. Përbëhet prej objekteve të kulturës materiale , monumenteve, grupeve, lokaliteteve, që paraqiten në formë të pjesshme si një ndërtim i vetëm, në grup, lokalitet apo më gjerë, dhe dallohen me tipare e vlera nga pikëpamja arkeologjike, historike, antropologjike, etnologjike, shoqërore, shkencore, kulturore dhe teknike.
Lokaliteti antik dardan, romako-bizantin Ulpiana është një nga qendrat më të mëdha antike urbane në Republikën e Kosovës dhe gjendet në juglindje të qytetit të Prishtinës. Është vendbanim shumështresor, i ndërtuar në disa nivele dhe me shtresë kulturore deri në 3.5m thellësi. Jeta dhe gjurmët e para të civilizimit në Ulpianë janë dëshmuar që nga epoka e tranzicionit nga periudha e bronzit në atë të hekurit. Ulpiana zhvillimin më të madh e ka arritur në periudhën në mes të shekujve III dhe IV të e.s. periudhë kjo kur shndërrohet në një qendër të fortë politike, ekonomike dhe kulturore të një territori të gjerë në brendësi të Dardanisë duke u bërë pika kyçe e përhapjes së civilizimit antik. Në periudhën e perandorit Justinian në shekullin VI e.s, Ulpiana riemërohet si Justiniana Secunda.
Lokaliteti arkeologjik i Dresnikut është një prej lokaliteteve me të rëndësishme jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon, gjendet në fshatin Dresnik të komunës së Klinës. Gërmimet e vazhdueshme në këtë lokalitet kanë rezultuar në identifikimin e disa monumenteve arkitekturale të rëndësishme për njohjen e qytetërimit romak. Si karakteristikë shumë e veçantë është zbulimi i dhomave me mozaikë shumëngjyrësh. Gjetje të tjera janë muret rrethuese të qytetit të lashtë, më gjerësi 3,7 metra, po ashtu janë gjetur edhe shumë monedha të perandorëve të ndryshëm romak të shekullit III dhe IV te e.s, si dhe disa copëza të shtatorëve të punuara nga mermeri, pra bëhet fjalë për një ‘’Municipium’’.
Kalaja e Prizrenit gjendet në anën lindore të qytetit të Prizrenit e vendosur në një gur masiv shkëmbor. Kalaja ka muret të përforcuara me kullat, kazamatet, depot si dhe një varg objektesh të tjera. Në aspektin ndërtimor ndahet në tri komplekse të veçanta që njihen si Qyteti i Epërm, Qyteti i Poshtëm dhe Qyteti Jugor. Ndërsa në aspektin e fortifikimit ndër shekuj, ajo u përket periudhave të ndryshme si periudha antike, periudha e sundimit bizantin, ajo mesjetare dhe periudha e sundimit të Perandorisë Osmane. Gërmimet e para arkeologjike kanë filluar në vitin 1969 për të vazhduar sërish më 2004, 2009-2018. Kalaja e Prizrenit është njëra ndër asetet më të vizituara dhe më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës
Përbëhet prej monumenteve, ansambleve dhe lokaliteteve, që paraqiten si një ndërtim i vetëm, në grup apo në lokalitet më të gjërë, në forma modeste apo monumentale, të cilat dallohen me tipare e vlera nga pikëpamja arkitekturore, historike, artistike, estetike, mjedisore, shoqërore, kulturore, arkeologjike, antropologjike, etnologjike, teknologjike, teknike dhe shkencore.
Gjendët në perëndim të Kosovës në Komunën e Deçanit, në luginën e lumit Lumbardhë dhe është ndërtim unik në Kosovë. Nga jashtë ndërtimi i kishës është përzierje e stileve romak dhe të gotikes, ndërsa brenda është e mbuluar me vizatime të kombinuara tradicionale të stilit ortodoks të lindjes dhe atij bizantinë. Manastiri është ndërtim monumental, bazilikë me pesë anijata, e mbuluar me kube, e cila qendron mbi tambur dhe narteksin me tri anijata. Kisha së bashku me kupolën është e lartë 32 metra, gjatë periudhës mesjetare është njohur me emrin Deçani i Lartë. Arkitekti kryesor i Manastirit të Deçanit ka qenë mjeshtri Fra Vito nga Kotorri, një murg françeskan i cili e kishte zbukuruar manastirin me shumë elemente të cilat e veçojnë romanikën. Në kuadër të Manastirit të Deçanit ka edhe afreska nga shekulli XIV.
Gjendet në Qendrën Historike të qytetit të Prizrenit. Është ndërtuar në vitin 1615 nga Sofi Sinan Pasha, me pozitë të rëndësishme në administratën Osmane. Ka planimetri katrore me një nishe (mihrab) në pjesën juglindore që e bëne më specifike në krahasim me xhamitë e tjera në Kosovë. Enterieri është hapësirë unike i ndriquar përmes dritave të radhitura në nivele , me kupolë të pikturuar me motive florale. Me pozitën e saj dominuese, dimensionet, formën, proporcionin e minares ndaj kupolës, materialet dhe teknikën e ndërtimit, dekorimet e pasura në enterier, Xhamia e Sinan Pashës paraqet njërën prej monumenteve më karakteristike të qytetit të Prizrenit.
Ndodhet në bërthamën e vjetër të qytetit të Prishtinës, është ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XVIII. Është një ansambël tipik i arkitekturës qytetare të tipit oriental i përbërë prej katër ndërtesave , shtëpia e familjes, shtëpia e mysafirëve, ahuri dhe magaza. Shtëpitë dhe ahuri pasqyrojnë harmoni arkitekturale të proporcioneve dhe e elementeve, ndërsa magaza është shembull unik i një dyqani tregtar-magazine i ndërtuar në shekullin XIX. Oborret janë të rrethuara me mure të larta të ndërtuara me qerpiçë dhe hatulla nga druri. Gjatë periudhave të ndryshme kohore (gati dy shekullore), kompleksi ka pësuar ndryshime të shumta si pasojë e ndërrimit të funksionit. Si tërësi, Kompleksi “Emin Gjiku” mbetet një ndër shembujt më të mirë të shtëpive qytetare të fillimit të shek. XIX.
Trashëgimia e luajtshme përbën objektet fizike me vlera kulturore. Kjo trashëgimi mund t’i takojë grupeve kulturore, komuniteteve apo një populli. Trashëgimia kulturore e luajtshme është pjesë e rëndësishme e një populli dhe vendi dhe është obligim ligjor mbrojtja e saj. Objektet e trashëgimisë së luajtshme mund të jenë me vlera artistike, historike, arkeologjike, teknologjike apo natyrore.
Hyjnesha në Fron është njëra nga artefaktet më të çmueshme arkeologjike të Kosovës. Figurina antropomorfe i takon kulturës së Vinçës dhe ka këto përmasa: gjatësi 18,5 cm dhe gjerësi 5-7 cm Artefakti i Hyjneshës është punuara nga argjila e pjekur, një material që njihet me emrin terrakota. Hyjnesha në Fron është një hyjni femërore, gjegjësisht reflekton kultin e idhullit të nënës së madhe. Figurina antropomorfe në dukje paraqitet me një qëndrim stoik, në pozitë të ulur që mban dy duart e në mes. Koka ka formë pesëkëndore me tipare të mprehta të konturave të fytyrës, me një hundë të theksuar dhe sy në formë bajameje. Në kokë paraqitet diadema në formë të një gunge kurrizore gjysmërrethore.
Okarina është një artefakt unik jo vetëm për territorin e Kosovës por edhe për rajonin. Instrument muzikor i punuar nga argjila e pastruar mirë dhe e pjekur, me një gjatësi prej 8cm dhe e vrimuar si në bosht ashtu edhe në aksin më të lartë, kishte shërbyer si një instrument frymor muzikor, një lloj fyelli neolitik. Instrumenti është pagëzuar me emrin “Okarina e Runikut”, dhe është instrumenti më i hershëm muzikor i zbuluar në Kosovë. Tingujt dhe vibrimet e ngrohta të lëshuara nga ky instrument muzikor na transmetojnë botën e pasur shpirtërore e muzikore të njeriut neolitik të kësaj treve.
Labirinti i qarkut të mbyllur është ndër zbulimet të më rëndësishme në Kosovë. Në qendër paraqitet labirinti i qarkut të mbyllur, hardhia e rrushit lartë, kurse gjethet e lerthit poshtë. Labirinti shpreh idetë religjioze-filozofike dardane (karakteri heliolatrik) mbi ciklin e jetës. Është zbuluar në monumentin epigrafik në fshatin Smirë, Komuna e Vitisë.
Trashëgimia kulturore nuk pёrfundon me monumente dhe objekte koleksionesh. Trashёgimia shpirtёrore ёshtё njё fushё e gjerё nё tё cilёn bёjnё pjesё traditat, mёnyra e jetesёs dhe krijimtaria e trashёguar nga tё parёt e cila vazhdon tё pёrcillet tek brezat pasardhёs, nёpёrmjet njohurive e praktikave shoqёrore tё manifestuara nё zejet tradicionale lidhur me jetёn, natyrёn dhe gjithёsinё. Nё aspektet shpirtёrore hyjnё format e shprehjes kulturore të traditave ose tё zakoneve popullore, tё gjuhës, gojёdhёnat, festat, vallet, muzika, kёngёt, ritet dhe shprehjet artistike.
Riti i “qethjes së dhenve” zhvillohet në zonat malore, kryesisht bjeshkët e Rrafshit të Dukagjinit që shtrihen prej Istogut, Pejës, Gjakovës dhe Prizrenit. Në këtë pjesë shtrihen rajone të ndryshme etnogjeografike dhe fshatra të këtyre komunave historikisht të njohura për blegtori të zhvilluar, kryesisht mbajtjen e deleve një traditë që ende vazhdon. Ngjarje e shënuar për banorët e tëbanishtave paraqet qethja e deleve e njohur si “t’qethnat” nga blegtorët. Kjo ngjarje është një festë e punës kolektive tradicionale me rituale dhe ushqime të ndryshme karakteristike për rajonet blegtorale. Ajo karakterizohet si punë kolektive e organizuar e qethtarëve pa pagesë që zhvillohet në fund të korrikut ose fillim të gushtit në një vend të hapur – fushë të përshtatshme, ku mblidhen të pranishmit pas thirrjes (ftesës) nga i zoti i shtëpisë. Rituali kryesor paraqitet si një ceremoni e veçantë për familjen dhe tërë komunitetin pasi që qethja e dhenve kryhet nga një tëbanishte në tjetrën me radhë, me ç ‘rast përgatiten ushqime të shumta tradicionale: maza e zieme, gjella, flija, përpeq, pite etj.
Filigrani si teknikë e avancuar e aplikimit artistik të zejes së argjendarisë arriti kulminacionin në shek. XIX, kryesisht në qendrat urbane të mirënjohura për prodhimtari dhe përpunim metalesh të çmuara, siç ishte në atë kohë qyteti i Prizrenit. Vazhdimësi e kësaj tradite e përcjellë ndër breza nga mjeshtrit filigranistë vendas që sot si zeje rrezikohet të shuhet, përkundër arritshmërisë së lartë artistike, laryshisë së madhe të stolive që mbërrijnë deri në tregje të largëta në tri kontinente (Evropë, Azi deri në Afrikë). Punimet e filigranit që përfshijnë kryesisht stolitë e grave, por edhe të burrave, prezantojnë punën specifike të përdorimit dhe kombinimit të fijeve të holla, të përdredhura me precizitet të jashtëzakonshëm, artin e zbatuar, talentin por dhe cilësitë e larta artistike të mjeshtërve filigranistë.
Eposi i Kreshnikëve është ndër vlerat më të rëndësishme që kanë buruar nga kultura shpirtërore shqiptare. Prania e këngëve epike legjendare shfaqet në shumë krahina etnografike të Shqipërisë dhe Kosovës , si Pejë, Gjakovë, Prizren, Deçan, Rahovec e të tjerë. Këto këngë epike legjendare zakonisht shoqërohen me instrumentin muzikor të mirënjohur “Lahutën”. Personazhet kryesore të këtyre këngëve që vihen në spikamë janë dy vëllezërit, Muji dhe Halili. Disa nga këngët tjera janë: “Ajkuna qan Omerin”, Martesa e Mujit, Fuqia e Mujit, Orët e Mujit, Martesa e Halilit, Muji e tre zanat e malit, Halili pret Pajo Harambashin etj. Eposi i Kreshnikëve është jehonë poetike disashtresore e jetës së përbashkët (sh.VI-VIII), por edhe e konflikteve disa shekullore ndëretnike e kacafytjeve dhe e përgjakjeve ilire-shqiptare me ardhësit sllavë të jugut në Iliri (Ballkan). Këto këngë janë ndër eposet e fundit aktive në Evropë në fillim të këtij mijëvjeçari dhe me të drejtë thuhet se e kanë vendin në arealin e epikës botërore.
Nënkupton një fushë, ashtu siç perceptohet nga njerëzit,karakteri i të cilës është rezultat i veprimit dhe ndërveprimit të faktorëve natyrorë dhe/ose njerëzorë; një komponentë esenciale e ambientit të njerëzve, një shprehje e diversitetit të trashëgimisë së përbashkët të tyre kulturore e natyrore, dhe një krijues i identitetit të tyre.
Në afërsi të qytetit të Ferizajit gjendet fshati Nerodime që karakterizohet me veçorinë natyrore të rrallë, fenomenin e Bifurkacionit të lumit. Bifurkacioni i Lumit Nerodime i vetmi i këtij lloji në Evropë është unik dhe i dyti si fenomen në tërë Botën. Nga kjo rrjedhë e lumit bëhet ndarja e ujerave duke marr destinacione të ndryshme, njëra rrjedhë vazhdon në Detin Egje dhe tjera ne Detin e Zi. Bifurkacioni i Nerodimes gëzon mbrojtje ligjore që nga 1979 si ‘Rezervat Special Natyror’. Po në këtë rrjedhë të lumit në afërsi të Bifurkacionit, qëndron Mulliri 600 vjeçar që e plotëson peizazhin kulturor të këtij areali. Mulliri që dikur ishte pronë e familjes Nika, nga katër gurët që kishte në funksion, tani ky mulli punon me dy gurë për bluarje. Bifurkacioni i Nerodimes mund të shndërrohet në një destinacion të rëndësishme turistik, i vetmi i këtij lloji në Republikën e Kosovës dhe gjithë Evropën.
Ujëvara e Mirushës gjendet në Fshatin Llapçevë të Komunës së Malishevës. Për ti dhënë bukurinë këtij peizazhi është lumi Mirusha që me rrjedhën e tij kalon nëpër një grykë e cila njihet si Kanjoni i lumit Mirusha. Aty janë 12 ujëvara dhe 16 liqene që paraqesin një fenomen të rrallë morfo-hidrologjik. Ujëvarat e Mirushës janë shpallur Park Regjional i Natyrës në vitin 1982/83 nga Komuna e Malishevës. Ndërsa Qeveria e Republikë së Kosovës në vitin 2012 nxjerr vendim për shpalljen e Ujëvarave të Mirushës, Monument i Natyrës me Rëndësi të Veçantë me sipërfaqe të përgjithshme prej 598.4 ha. Ujëvarat e Mirushës janë pjesë e një parku me rëndësi të veçantë natyrore, shkencore, kulturore dhe turistike.
Vendi i njohur si “Verrat e Llukës” gjendet në fshatin Llukë të Epërme të Komunës së Deçanit. Në këtë vend ka pasur disa zhvillime dhe ngjarje historike. Nga viti 1900 deri në vitin 1910 në këtë vend janë mbledhur shqiptarët për të luftuar kundër pushtuesit Osman. Po ashtu, ky vend njihet për “Kuvendin e Verrave të Llukës”, “Besëlidhja e Madhe Shqiptare të Verrave të Llukës”, ndërsa historiku i Verrave të Llukës kulmoi me 1 maj 1990, ku mbi 500 mijë shqiptarë, nga të gjitha hapësirat etnike shqiptare, u tubuan aty, për të jetësuar iniciativën e rinisë shqiptare për pajtimin e gjaqeve, e mbështetur nga intelektualët me në krye Anton Çettën dhe Zekrija Canën. Kjo lëvizje u brumos duke arritur kulminacionin në këtë vend që ndikoi në bashkimin e shqiptarëve dhe lëvizjen e mëvonshme për liri, demokraci dhe pavarësi të Kosovës.
Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore © 2024