• KKTK - Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore
  • SKKN - Savet Kosova za Kulturno NasleÄ‘e
  • KCCH - Kosova Council for the Cultural Heritage

Municipium Ulpiana-Justiniana Secunda

Municipium Ulpiana - Justiniana Secunda gjendet rreth 12 km në jug-lindje të Prishtinës, është njëra nga qendrat më të rëndësishme arkeologjike në Kosovë. Gjatë periudhës romake, Ulpiana ishte njëra nga nyjet kryesore komunikuese në mes të Konstandinopojës dhe Romës. Pranë qytetit antik bëhej kryqëzimi i rrugëve që lidhte detin Adriatik me detin Egje. Rrugët më të njohura ishin: Via Lissus-Naissus dhe ajo e Scupit. Në vitin 169 e.s. Ulpiana e fiton statusin e municipit (Municipium Ulpianum). Sidoqoftë, Ulpiana zhvillimin më të madh e ka arritur në periudhën në mes të shekujve III dhe IV e.s. periudhë kjo kur shndërrohet në një qendër të fortë politike, ekonomike dhe kulturore. Në periudhën e perandorit Justinian në shekullin VI, Ulpiana riemërohet në Justiniana Secunda. Zbulimet e para arkeologjike kanë filluar që nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar dhe kanë vazhduar deri në ditët e sotme nga studiues të arkeologjisë vendor dhe të huaj, që kanë rezultuar me zbulimin e disa monumenteve kulti dhe objekteve sakrale, pjesë të mureve rrethuese së bashku me kullat mbrojtëse, castrum apo garnizoni ushtarak romak, pastaj qindra fragmente të gjetjeve/artefakteve të llojllojshme. Në kuadër të gërmimeve arkeologjike janë zbuluar edhe pjesë të tjera të qytetit siç janë: Porta veriore, Tempulli me portik, bazilika me fortifikatë, dyshemeja me mozaik në bazilikën, baptisteri dhe nekropoli verior. Në tetor të vitit 2016 Ulpiana është shpallur park arkeologjik. Bazuar në vlerat historike, arkeologjike, artistike dhe shkencore, aseti Minicipium Ulpiana- Justiniana Secunda në vitin 2016 është shpallur në mbrojtje të përhershme nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

  • Komuna: Graçanicë
  • Koordinatat: 42.596134 21.175179
  • Data e shpalljes: 06.10.2016
  • Perimetri i asetit: 161.10 ha
  • Zona e mbrojtur: 96.23 ha

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore © 2024