Kalaja e Harilaqit (shek. IV-VI) gjendet mbi një kodër të njohur si Gradina e Harilaqit, e ngritur në një pozitë mjaft dominante, në perëndim të fshatit Harilaq. Është e vendosur në lartësinë mbidetare prej 766 metra dhe ndodhet rreth 9 km në juglindje të Fushë – Kosovës, me një sipërfaqe rrethore me mure mbrojtëse prej 1.3 ha. Gërmimet arkeologjike në këtë kala kanë filluar në vitin 2005 dhe kanë vazhduar sistematikisht deri në vitin 2010, por janë kryer edhe disa konservime dhe konsolidime të mureve me qëllim të mbrojtjes dhe ruajtjes së saj. Gjatë gërmimeve arkeologjike të zhvilluara në gjashtë sezona kanë dalë në pah gjurmë të shumta të rrënojave të objekteve sakrale, profane dhe utilitare. E tërë faqja e jashtme e murit rrethues të kalasë me kullat në akse, pastaj kisha me tri nefe dhe sakristi, si dhe dy struktura pothuajse identike në formë unazore të një kompleksi sakral. Gjithashtu material i bollshëm i lëvizshëm arkeologjik si vegla pune, stoli, monedha, tulla, fragmente qelqi dhe struktura arkitektonike që posaçërisht theksojnë periudhën e antikitetit të vonë, e në veçanti atë të kohës së Justinianit. Bazuar në vlerat arkeologjike, historike, shoqërore dhe shpirtërore, aseti Kalaja e Harilaqit në vitin 2016 është shpallur në mbrojtje të përhershme nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.
Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore © 2024