• KKTK - Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore
  • SKKN - Savet Kosova za Kulturno NasleÄ‘e
  • KCCH - Kosova Council for the Cultural Heritage

VIZITË E GRUPIT MONITORUES TË LIGJIT PËR TRASHËGIMI KULTURORE NË KKTK 07.062019

Data e publikimit: 13.06.2019

Grupi për monitorimin e Ligjit për Trashëgimi Kulturore në kuadër të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi në përbërje prej znj. Arbërie Nagavci, kryesuese dhe z. Ismajl Kurteshi, anëtar, si dhe z. Sali Shoshi, ekspert i angazhuar nga KDI, sot zhvilloj vizitë në Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore, për tu informuar me detyrat dhe përgjegjësitë ligjore që ka KKTK. Anëtarët e Komisionit kërkuan informacione të plota për zbatimin e Ligjit për Trashëgimi Kulturore nga ana e KKTK-së, në relacion me mbrojtjen e përhershme, prioritetet financiare për trashëgimi kulturore, vlerësimin e projekteve, krijimin e komisioneve për shpronësim dhe shitblerje dhe humbje të tjera financiare në trashëgimi kulturore. Isuf Koci, udhëheqës ekzekutiv i KKTK-së, njoftojë anëtaret e Komisionit për detyrat dhe përgjegjësitë që ka KKTK në bazë të Ligjit për Trashëgimi Kulturore, dhe sfidat që po kalon në përmbushjen e tyre. Anëtaret e Komisionit u informuan se në bazë të Ligjit për Trashëgimi Kulturore, MKRS është e obliguar që nga Lista e përkohshme e cila nuk mund të jetë më gjatë se një (1) vit të propozojë asete pranë KKTK-së për shpallje në mbrojtje të përhershme, gjë të cilën MKRS nuk është duke e bërë nga viti 2015, ku për herë të parë dhe të fundit janë propozuar rreth 100 asete, nga të cilat 23 kanë marr statusin e mbrojtjes së përhershme. KKTK në relacion me mbrojtjen e përhershme me kohë ka nxjerr aktet nënligjore dhe formën e aplikimit të cilën e ka bërë në transparencë të plotë dhe përfshirje të të gjitha institucioneve të trashëgimisë kulturore. Gjithashtu anëtaret e Komisionit u informuan se MKRS asnjëherë deri më sot nuk ka dorëzuar projekte për vlerësim në KKTK siç është e obliguar në bazë të Ligjit për Trashëgimi Kulturore neni 5.2. Kurse sa i përket krijimit të komisionit të pavarur për shpronësim siç përcaktohet në nenin 4.22, KKTK ka pasur vetëm një kërkesë dhe në bazë të saj ka krijuar këtë komision dhe ka përmbushur obligimin ligjor që ka. Kërkesa për shpronësim, shitje ose blerje tjera deri më sot nuk ka pasur në KKTK, në bazë të informatave ka disa raste të cilat janë shpronësuar asete të trashëgimisë kulturore në kundërshtim me Ligjin për Trashëgimi Kulturore, pasi që i vetmi institucion ligjor që ka në mandat caktimin e nivelit të kompensimeve është KKTK. Gjithashtu vlen të theksohet se në KKTK deri më sot nuk ka pasur asnjë kërkesë për të përcaktuar nivelin e shpërblimit për të gjeturat arkeologjike të bëra të ditura dhe me interes për arkeologjinë e Kosovës siç përcaktohet me nenin 7.7 të Ligjit për Trashëgimi Kulturore. Po ashtu në këtë takim u diskutuan edhe ndërhyrjet konservuese dhe restauruese në asete të trashëgimisë kulturore që bëhen nga personat juridik dhe fizik pa licensa dhe krejt kjo në kundërshtim me Ligjin për Trashëgimi Kulturore neni 4.16 dhe Rregulloren 03/2008 Mbi Aktivitetet Konservuese dhe Restauruese të Trashëgimisë Kulturore. Për të gjitha çështjet të cilat u ngritën në këtë takim, KKTK do të përcjell dokumente dhe materiale të cilat do të lehtësojnë dhe do t'i shërbejnë Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi në hartimin e raportit final për mbikëqyrjen e Ligjit për Trashëgimi Kulturore.




Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore © 2019