• KKTK - Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore
  • SKKN - Savet Kosova za Kulturno Nasleđe
  • KCCH - Kosova Council for the Cultural Heritage

Analizë për projektet e investuara dhe gjendjen e trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës (2008-2018) Prishtinë, 13.12.2018

Data e publikimit: 14.05.2019

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore sot organizoj tryezë për prezantimin e RAPORTIT PËR PROJEKTET E INVESTUARA NË TRASHËGIMI KULTURORE NGA MKRS 2008-2018 (Analizë e gjendjes aktuale të trashëgimisë kulturore). Në këtë prezentim ishin të pranishëm Kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, z. Ismajl Kurteshi, përfaqësuesit e institucioneve të trashëgmisë kulturore, pronarët e aseteve të trashëgimisë kulturore etj. KKTK preznatoi raportin e hartuar për gjendjen e trashëgimisë kulturore bazuar në mandatin dhe detyrat që ka në fushën e trashëgimisë kulturore. Raporti paraqet një pasqyrë dhe analizë të gjendjes së trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës sipas kategorive të trashëgimisë kulturore për të cilat MKRS ka ndarë mjete buxhetore në realizimin e projekteve të ndryshme kapitale. Në kuadër të këtij raporti nuk janë përfshirë projektet që janë zhvilluar nga subvencionet, komunat si dhe ato me fonde ndërkombëtare. KKTK si në të kaluarën edhe gjatë hartimit të raportit kishte kërkuar bashkëpunim nga MKRS, për arritjen e qëllimit të përbashkët rreth adresimit të sfidave e problemeve me të cilat përballet trashëgimia kulturore. Megjithë mungesën e bashkëpunimit të MKRS në ofrimin e të dhënave lidhur me projektet e realizuara në periudhën 2008-2018, KKTK ka vazhduar punën duke përdorur burime zyrtare të publikuara, vizita pune në terren dhe takime me akterët për të parë nga afër gjendjen e aseteve të trashëgimisë kulturore në të cilat është intervenuar. Në bazë të vlerësimit të gjendjes dhe të dhënave të mbledhura, KKTK ka konstatuar se gjendja e rëndë e trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës, vjen si rezultat i planifikimit jo të mirë të prioriteteve financiare, realizimit ad hoc të projekteve, mosvlerësimit të projekteve nga institucioni kompetent (KKTK) siç parashikohet në bazë të Ligjit për Trashëgimi Kulturore. Gjithashtu, projektet nuk planifikohen dhe realizohen sipas një plani afatmesëm/afatgjatë dhe sipas një analize për ndërhyrje emergjente konservuese/restauruese. Ndërhyrjet realizohen nga kompanitë ndërtimore të palicencuara si dhe problematika të tjera që paraqiten në kuadër të këtij raporti gjithëpërfshirës. Për periudhën 2008 – 2018 janë ndarë mjaft mjete financiare për projekte të ndryshme kapitale, derisa një gjë e tillë nuk korrespondon me përmirësimin e gjendjes së trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës. MKRS ka hartuar listën e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme që përmban gjithsej 1595 asete nga të gjitha kategoritë ligjore, me më së shumti nga trashëgimia arkitekturore dhe arkeologjike. Kosova ka 23 asete në mbrojtje të përhershme që nga viti 2016 të shpallura nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore. MKRS nga viti 2008-2018 ka planifikuar më shumë së 100 projekte kapitale të cilat janë pasqyruar në Ligjet e Buxhetit të Republikës së Kosovës për çdo vit. Vlera e këtyre projekteve në total kap shumën mbi njwzet (20) milionë euro, të cilat janë të destinuara për ndërhyrje konservuese, restauruese, gërmime arkeologjike, intervenime emergjente, shenjëzim të trashëgimisë kulturore, promovim të trashëgimisë kulturore, kthimi i thesarit arkeologjik dhe etnologjik nga Serbia, trashëgimi shpirtërore etj. Në raport theksohet se Republika e Kosovës nuk ka arritur të përdorë në favor të kthimit të artefakteve as dokumentin “Propozimi Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës”, ANEKSI V Trashëgimia fetare dhe kulturore, Neni 6, ku thuhet se: “Republika e Serbisë, brenda 120 ditëve nga hyrja në fuqi e kësaj zgjidhjeje, do t’i kthejë artefaktet arkeologjike dhe etnologjike të cilat janë marrë hua nga muzetë e Kosovës për ekspozim të përkohshëm në Beograd gjatë viteve 1998-1999”. Deri më sot është arritur kthimi i një eksponati të vetëm – Hyjnesha në Fron e marrë në vitin 2002 nga kryeadiminstratori i atëhershëm i UNIMK-ut gjatë vizitës së tij në Beograd. Me qëllim të përmisimit të gjendjes së trashëgimisë kulturore, KKTK rekomandon të respektohet Ligji për Trashëgimi Kulturore dhe ligjet e tjera të fushës, si dhe projektet të vlerësohen nga institucioni kompetent – KKTK, pastaj përcaktimi i qartë i prioriteteve financiare vjetore për trashëgimi kulturore nga institucioni përgjegjës – KKTK. Mbikëqyrja dhe ndërhyrjet restauruese/konservuese të bëhet nga institucionet përgjegjëse. Mbikëqyrja dhe survejimi arkeologjik gjatë projektimit të autorrugëve dhe veprave infrastrukturore në Kosovë. Ndarja e mjeteve buxhetore për shpronësimin e aseteve të trashëgimisë kulturore me rëndësi të veçantë, bashkëpunimi me pronarët e aseteve të trashëgimisë kulturore si dhe përfshirja e komunitetit ku gjenden asetet e trashëgimisë kulturore, licencimi i personave juridik dhe fizik për ndërhyrje konservuese/restauruese që bëjnë gërmime arkeologjike, që merren me shitblerjen e objekteve të trashëgimisë së luajtshme, shenjëzimi dhe ndriçimi i trashëgimisë kulturore në përputhje me standardet ndërkombëtare, botimet dhe promovimi i trashëgimisë kulturore si dhe promovimi i diversitetit kulturor si vlerë e përbashkët. Pastaj rritja e stafit profesional në institucionet e trashëgimisë kulturore, ndërsa realizimi i projekteve të bëhet në bazë të prioriteteve, gjendjes faktike dhe arsyeshmërisë së tyre.




Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore © 2024