Datum objavljivanja: 21.12.2022
Konferenca vjetore e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore me temën "Aspekte dhe sfida të edukimit në trashëgimi kulturore" mblodhi profesionistë vendor dhe ndërkombëtarë të fushave të ndryshme. Kreshnik Bajraktari, zv. udhëheqës ekzekutiv në hapje të Konferencës, i përshendeti pjesëmarrësit dhe tha se KKTK si institucion e ka parë të arsyeshme që çështjen e edukimit në trashëgimi kulturore ta shqyrtojë për shkak të rëndësisë dhe zhvillimeve aktuale. Konferenca do të adresojë sfidat dhe mundësitë e zgjidhjes së problematikave të edukimit në trashëgimi kulturore. Përmes edukimit të gjeneratave të reja, konceptimit qysh në moshë të hershme, formave të përshtatshme, të kuptueshme dhe të thjeshtëzuara që mundësojnë nxënien e këtyre koncepteve, kontribuojmë direkt në ruajtjen, mbrojtjen dhe vlerësimin e trashëgimisë kulturore të vendit. Mirëseardhje të pranishmëve në konferencë iu uroj edhe Kryetarja e KKTK, znj. Zanita Halimi. Kryetarja Halimi tha se kjo tryezë është platformë dialogu për një tematikë shumë të rëndësishme e të veçantë, edukimi për trashëgiminë kulturore. Arsimi, mënyrat se si e organizojmë mësimdhënien dhe të nxënit gjatë gjithë jetës ka luajtur prej kohësh një rol themelor në transformimin e shoqërive njerëzore. Edukimi është mënyra se si ne organizojmë ciklin ndërgjeneror të transmetimit dhe bashkëkrijimit të njohurive. Rëndësia e trashëgimisë kulturore për përjetësinë e shoqërisë është e padiskutueshme. Kështu, përpjekjet për të ruajtur trashëgiminë kulturore dhe për të rritur ndërgjegjësimin janë përshpejtuar kohëve të fundit. Znj.Halimi theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit të nxënësve për trashëgiminë kulturore për t'i lejuar ata të njohin kulturën e tyre dhe të tjerëve dhe transferimin e kulturës nga një brez në tjetrin duke e ruajtur elementet e trashëgimisë kulturore. Këshilltarja e Ministrit të Kulturës, znj.Nora Arapi, tha se në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore si MKRS kemi ndërmarrë programe dhe veprime të ndryshme, me fokus të veçantë në përmasimin e gjendjes fizike të aseteve të trashëgimisë kulturore. Më tutje, znj.Arapi tha se edukimi, vetëdijësimi dhe promovim i vlerave të trashëgimisë kulturore si burimi i identitetit dhe njëkohësisht si potencial për zhvillim të qëndrueshëm është jetik. Pjesëmarrës në konferencë ishin përfaqësuesit nga Ministria e Arsimit Shkencës Teknologjisë, znj. Shqipe Gashi dhe z.Arbër Salihu, të cilët prezantuan përfshirjen e temave të trashëgimisë kulturore në dokumentet kurrikulare të Kosovës. Trashëgimia Kulturore është pjesë e të gjitha fushave kurrikulare (ndërkurrikulare). Ajo mësohet përgjatë gjithë arsimit parauniversitar në lëndët mësimore: Shoqëria dhe mjedisi (klasat 0-5), edukatë qytetare, histori, gjeografi (klasat 6-9) dhe edukatë qytetare, histori, sociologji, filozofi me logjikë dhe psikologji (klasa 10-12), në gjimnaze. Po ashtu u theksua mungesa e teksteve të veçanta dhe adekuate për temat e trashëgimisë kulturore në sistemin arsimor. Znj. Arbnore Kolgjeraj nga Qendra e Kompetencës në Prizren para të pranishmëve prezantoj kurrikulën e lëndës së trashëgimisë kulturore në shkollat e mesme të larta si dhe sfidat në implementim e saj. Aktivitete programore edukative në Muzeun Kombëtar të Kosovës përgjatë viteve, i prezantoi znj. Dafina Morina. Ajo shpalosi aktivitetet e shumta dhe rëndësinë e tyre në edukimin e gjeneratave të reja dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe punës së muzeut. Z. Arifi Muharremi me të pranishmit ndau përvojën nga programet ndërkombëtare mbi edukimin në trashëgiminë kulturore. Ai theksoi rendësinë e përdorimit të metodave joformale dhe argëtuese për edukimin në trashëgimi kulturore dhe aktivitetet e ndryshme të zbatuara, si lojërat e trashëgimisë për shkollat fillore, kampet verore, java e trashëgimisë në shkolla, vizitat 'Hajde', etj. Pjesa e dytë e sesionit vazhdoi virtualisht me prezantimet e profesionistëve ndërkombëtar që ndanë përvojat e tyre hulumtuese dhe praktike rreth edukimit për trashëgiminë kulturore. Prezentim online mbajti, znj. Angela Labrador nga Universiteti Johns Hopkins me temën Trashëgimia Jomateriale dhe Edukimi. Pastaj edhe z.Teng Chamchumrus, ekspert i programit Fulbright, i angazhuar në KKTK, shfaqi videon dhe prezentoi temën e titulluar: Ndërtimi i një komuniteti të zhvilluar në një botë në ndryshim përmes kulturës dhe edukimit - mesazh nga Mae Chaem. Pas prezentimeve të panelit dhe online, vazhduan diskutimet që nxorën një sërë konkluzionesh dhe rekomandimesh të cilat do të përgatiten dhe ndahen me akterët dhe palët e interesit nga ana e KKTK-së.
Savet Kosova za Kulturno Nasleđe 2024