Data e publikimit: 07.06.2024
Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK) shpreh shqetësimin e thellë në lidhje me rrënimin e monumenteve në asetin e trashëgimisë kulturore “Kompleksi i Sarajit të Vjetër”. Ky aset është nën mbrojtje të përhershme që nga shkurti i këtij viti për vlerat, kriteret dhe rëndësinë e trashëgimisë kulturore. Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore më 29.02.2024 me vendimin nr.011/2024 në bazë të Ligjit 02/L-88 për Trashëgimi Kulturore, Rregulloren Nr.02/2016 për Vlerësimin dhe Shpalljen e Trashëgimisë Kulturore në Mbrojtje të Përhershme, Rregulloren nr.11/2022 për Inventarizimin dhe procesin e përzgjedhjes së Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje si dhe bazuar në Rregulloren nr. 01/2022 për Përcaktimin e Perimetrit dhe Zonës Mbrojtëse të Aseteve të Trashëgimisë Kulturore kishte miratuar propozimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit që aseti i trashëgimisë kulturore, Kompleksi i Sarajit të Vjetër, Prizren, me numër unik 004762 në listën e aseteve në mbrojtje të përkohshme, bashkë me Perimetrin dhe Zonën Mbrojtëse të përfshihen në listën e trashëgimisë kulturore të aseteve në mbrojtje të përhershme në kategorinë trashëgimi arkitekturale, nënkategoria Ansambël. Vendimi për shpallje të asetit, Kompleksi i Sarajit të Vjetër, Prizren në mbrojtje të përhershme është bazuar në vlerat historike, estetike dhe kriteret e autenticitetit dhe integritetit. KKTK konsideron se me qëllim parandalimin e rasteve të tilla në të ardhmen është shumë e rëndësishme të hartohen plani i menaxhimit, konservimit-restaurimit, mbështetja e nevojshme financiare, shpronësimi i aseteve sipas ligjit, përmirësimi i infrastrukturës, promovimi i aseteve të trashëgimisë kulturore, shenjëzimi i aseteve dhe rishikimi i perimetrit dhe zonës mbrojtëse të aseteve sipas rregullores në fuqi. KKTK dënon ashpër rrënimin e monumenteve në kuadër të Kompleksit Saraji i Vjetër dhe thekson nevojën urgjente për bashkërendim dhe koordinim institucional ndërmjet autoriteteve komunale, institucioneve të trashëgimisë kulturore dhe të planifikimit hapësinor. Prandaj, kërkon nga të gjitha institucionet përgjegjëse që të respektohet Ligji për Trashëgimi Kulturore dhe ligjet e tjera të ndërlidhura. Njëherit, KKTK kërkon që institucionet ligj-zbatuese të bëjnë hetimin e plotë, ndjekjen dhe dënimin maksimal të autorëve që e kanë rrënuar asetin Kompleksi i Sarajit të Vjetër sipas Ligjit për Trashëgiminë Kulturore në mënyrë që raste të tilla të ndalohen dhe sanksionohen sipas ligjit.
Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore © 2024