Data e publikimit: 04.10.2022
Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore në bashkëpunim me European Heritage Volunteers në kuadër të projektit ndërkombëtar " Zeja tradicionale e filigranit" që mbahet në qytetin e Prizrenit organizoj aktivitetin “Promovimi i trashëgimisë kulturore jomateriale me fokus - zeja e filigranit” në Kino Lumbardhi, Prizren. Zv. udhëheqësi ekzekutiv i KKTK-së, z.Kreshnik Bajraktari, i përshëndeti pjesëmarrësit, në veçanti studentët nga vendet e ndryshme dhe foli për rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore e në veçanti asaj shpirtërore jomateriale përmes projekteve të tilla. Para pjesëmarrësve vendor dhe studentëve ndërkombëtar Prof. Dr. Drita Statovci, mbajti ligjeratën me temën “Filigrani në Republikën e Kosovës”. Gjatë prezantimit Prof. Statovci i njoftoi studentët me njohuritë parësore mbi këtë zanat të çmuar artistik të argjendarisë së filigranit në Kosovë si dhe demostroi stoli filigrani nga koleksioni i saj privat. z. Jeton Jagxhiu mbajti prezentimin me temën për ushqimet tradicionale të rajonit të Prizrenit. Ai foli për diversitetin e pasur të traditave ushqimore dhe ndërlidhjen e ngushtë të tyre me identitetit dhe trashëgiminë kulturore. Pjesë e aktivitetit ishte dhe demostrimi i mënyrës tradicionale të pikturimit të fytyrës së nuses. Një traditë kjo e përhapur dikur që dita-ditës po tkurret por që vazhdon mbijetesën në disa zona të thella të rajonit të Prizrenit. Aktiviteti u përmbyll me shfaqjen e dokumentarit" Udhëve të argjendarëve prizrenas" i punuar nga znj. Rina Geci. Pas prezentimeve të cilat u mbajtën në forma të ndryshme pjesëmarrësit patën mundësi të zhvillojnë diskutim publik në lidhje me temat e trajtuara.
Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore © 2024