Ndërtesa është e ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit XIX , e ndërtuar nga Maliq Pasha një zotëri feudal nga Kosova. Në dekadat e fundit të shekullit XIX ka qenë e vendosur administrata e parë e Vilajetit të Kosovës, në të njëjtën kohe aty ka funksionuar edhe shtypshkronja e tyre. Ne vitin 1957 ndërtesa është blerë nga Enti Krahinorë dhe ka qenë në gjendje jo të mirë, mirëpo me intervenimet konservuese të saj është shpëtuar nga shkatërrimi i sigurt, me ç’rast i është kthyer pamja e saj fillestare, autentike. Ndërtesa është simetrike, me planimetri drejtëkëndesh me etazhitet P+1. Në fasadë ballore ka çardak të mbyllur, ndërsa shtëpia ka mure të trasha prej qerpiçi. Muret e përparme të katit dalin 30 cm nga rrafshi i murit për të formuar kurorën që thyen monotoninë dhe zbukuron ndërtesën. Kulmi ka rënie të vogël me strehë të gjerë me dimension 120 cm dhe mbulesë prej tjegullave. Nga hyrja kryesore e oborrit deri të veranda ‘hajati’ i shtëpisë, arrihet përmes shtegut të shtruar me gurë ‘kallderm’. Nga veranda përmes dyerve dykrahëshe hyhet në holl ku gjendet vatra. Në anën e majtë nga holli, përmes një korridor të ngushtë, arrihet të kthina sanitare. Nga të dy anët e këtij korridori të ngushtë gjendët edhe nga një kthinë. Në ‘divanhane’, në kat, arrihet përmes shkallëve një krahëshe të punuara nga druri. Radhitja e kthinave në kat është e njejtë me radhitjen e kthinave në përdhese. Konstruksion i dyshemesë është me trarë të drurit, mbuluar me dërrasa në të gjitha kthinat, përpos hollit të përdhesës i cili është i shtruar me gur ’kallderm’. Të gjitha dyert, si ato njëkrahëshe dhe dykrahëshe, janë të punuara nga druri masiv dhe janë punim i më vonshëm; vetëm dera që qon nga holli në korridorin e ngushtë nga ana perëndimore është autentike. Muret janë të gëlqerosura, dritaret janë drejtkëndëshe prej druri me grila prej druri dhe në përdhese janë të mbuluara me rrjetë të punuar prej qeprave të drurit të quajtura ‘tolpija’. Brendësia dhe orendite janë te kohës më të re por të përshtatura me stilin origjinal që karakterizohet me ulëset e asaj kohe ’minderet’ të mbuluar me qilima , dollapët e thella prej druri ‘yklyqet’,raftet prej druri dhe ‘mangalli’. Bazuar në vlerat historike, artistike, shkencore dhe shoqërore aseti, Shtëpi banimi (IMMK) në vitin 2016 është shpallur në mbrojtje të përhershme nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.
Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore © 2024