• KKTK - Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore
  • SKKN - Savet Kosova za Kulturno Nasleđe
  • KCCH - Kosova Council for the Cultural Heritage

KISHA DHE SHKOLLA FILLORE NË GJUHËN SHQIPE NË STUBËLL TË EPËRME

Shkolla e Parë Shqipe në Kosovë – Kisha e Shën Gjergjit gjendet në fshatin Stubëll e Epërme, komuna e Vitisë. Historiku i saj është më i hershëm sesa koha e emërtimit të saj dhe pikërisht është fjala për Kolegjin e Shën Lukës, i cili kishte filluar punën qysh në vitin 1584. Shkolla shqipe ka funksionuar edhe gjatë vitit 1846, vit i cili është i gravuar në brendësi të absidës mbi një lastar hardhie. Veprimtaria edukativo-arsimore si shkollë e parë shqipe e mirëfilltë është zhvilluar që nga viti 1868 me mësues Dom Mikelin. Ndërsa nga Austro-Hungaria është zyrtarizuar në vitin 1905, po ashtu, me mësuesin Dom Mikel Tarabulluzin. Kisha e Shën Gjergjit, ndryshe e njohur si Shkolla e Parë Shqipe në Kosovë është ndërtuar në terren të pjerrtë, ku formohen bodrumi dhe përdhesja. Ndërtesa është e vendosur në drejtimin perëndim – lindje dhe ka planimetri në formë të shkronjës L. Hyrja për bodrumin ku është e vendosur salla e lutjeve bëhet nga ana jugore, nëpërmes dy hyrjeve të veçanta, njëra për priftërinjtë e tjetra për besimtarët. Salla ka tri dritare në ballin jugor dhe dy të tjera në atë lindor. Absida gjendet në murin verior, pranë së cilës ndodhet edhe altari. Nga hyrja e priftërinjve, salla ndahet me dy shtylla, të cilat mbajnë një mur në formë harku, ndërsa një ndarje tjetër ndërmjet altarit dhe pjesës tjetër të sallës është improvizuar me dy shtylla pa kapitel. Altari dhe tryeza e altarit janë veshur me gurë të përpunuar. Po kështu, edhe absida është e dekoruar me një frizë, ngjyrash të shembullit të shamisë së Nënë Terezës. Hyrja në përdhese bëhet nga porta që është në perëndim, ku gjendet edhe hajati i vendosur në tri shtylla. Vetë hajati ka një formë të gjysmërrethit, në dukje një absidë nga perëndimi. Në përdhese ndodhen disa kthina, të cilat kanë shërbyer për nxënësit si dhoma mësimi, për udhëheqësit fetarë të kishës dhe njëkohësisht udhëheqës edhe të shkollës. Ndërtesa është e ndërtuar me gurë të lidhur me llaç gëlqeror. Mbulohet me kulm dyujësh, që përcjell tërë planimetrinë. Në pjesën perëndimore është e ngritur kambanorja me bazë katrore, e mbuluar me kulm katërujor. Në oborrin e kishës është përmendorja e Don Mikel Tarabuluzit, si dhe një monument kushtuar Martirëve të Karadakut (1846-1848). Bazuar në vlerat Historike, artistike, shoqërore, shkencore dhe shpirtërore, aseti Kisha dhe shkolla fillore në gjuhën shqipe në Stubëll të Epërme në vitin 2016 është shpallur në mbrojtje të përhershme në nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

  • Komuna: Viti
  • Koordinatat: 42.32135 21.47117
  • Data e shpalljes: 15.08.2019
  • Perimetri i asetit: 0.26 ha
  • Zona e mbrojtur: 0.16 ha

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore © 2024