Xhamia e Hadum Agës është pjesë integrale e tërësisë urbanistike “Çarshia e madhe” – Gjakovë, përkatësisht gjendet në bërthamën e saj dhe është ndërtuar në vitin 1594-1595, nga Hadum Sylejmon Efendija – Hadum Aga. Ky objekt ka shërbyer si objekt sakral (xhami), ndërsa në kompleksin e vet gjendet edhe mejtepi që ka kryer funksiononin e mësim-besimit fetar. Kompleksi i xhamisë është i përbërë nga xhamia, minarja, mejtepi, abdes’hanja, varrezat e vjetra dhe biblioteka, e cila është një ndër bibliotekat më të vjetra në Kosovë. Pika qendrore e Ansamblit në fjalë pa dyshim është objekti i xhamisë që zënë pozitën qendrore në tërë lokacionin. Trijemi i mbuluar me tri kupola në pjesën hyrëse, kupola qendrore, dekoret e shumta në eksterier dhe enterier, minarja e restauruar janë elementet e njërit prej objekteve me të bukura në tërë trashëgiminë kulturore të Kosovës. Vlerë të veçantë kanë edhe varrezat që konsiderohen shumë të vjetra. Mejtepi është restauruar menjëherë pas luftës (2001-2002), ndërsa Biblioteka është resaturuar në vitet 2016-2017. Bazuar në vlerat historike, artistike, shkencore, shoqërore dhe shpirtërore, aseti Xhamia e Hadum Agës në vitin 2016 është shpallur në mbrojte të përhershme nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.
Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore © 2024