Kalaja e Vjetër urbane e tipit fushor, ndodhet në qendër të bërthamës së vjetër të qytetit të Vushtrrisë. Sipas studiuesve ishte ndërtuar në shek. VII nga perandori bizantin Justiniani i Parë. Konkludimet e tyre mbështeten në ekzistencën e themeleve të vjetra në të cilat u rindërtua kalaja. Në kohërat e vjetra kalaja ka shërbyer si strehim për karvanët e tregtarëve. Për shkak të pozitës strategjike gjatë periudhave të ndryshme, kalaja ka shërbyer si burg, depo e armatimit si dhe për qëllime të tjera ushtarake. Përbëhet nga dy pjesë, kullës dykatëshe në lindje dhe mureve rrethuese në perëndim. Në bazë të disa studimeve dhe gjetjeve në terren, Kalaja e Vjetër disa herë u rindërtua. Sistemi fortifikues i mureve të kalasë, ruan një bazë këndrejtë, ndërsa kulla me bazë katrore ka përdhesën dhe katin mbi të cilën është ndërtuar platoja për mbrojtje me dhëmbë të gjerë prej gurëve. Muret rrethuese të kalasë mbështeten në skajet e mureve anësore të kullës duke e lënë pjesën më të madhe të saj jashtë mureve rrethuese. Bazuar në vlerat arkeologjike, artistike, shoqërore, shpirtërore, rariteti dhe shkencore, aseti Kalaja e vjetër në vitin 2016 është shpallur në mbrojtje të përhershme nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.
Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore © 2024