Kalaja e Prizrenit gjendet në anën e majtë të rrjedhës së Bistricës së Prizrenit, është një ndër monumentet më të veçanta të trashëgimisë kulturore të Republikës së Kosovës. E vendosur në një masiv shkëmbor, me pozitë të veçantë, kalaja paraqitet si një kurorë mbi qytetin e Prizrenit. Në aspektin ndërtimor dallohen tri pjesë të veçanta: qyteti i epërm, qyteti i poshtëm dhe qyteti jugor. Gjatë periudhës osmane, kalaja pasurohet me disa objekte të reja si: hamami, xhamia dhe objekte të tjera ushtarake, utilitare. Ndërtimet e fundit janë bërë në dekadën e tretë të shek. XIX-të, nga familja vendase, Rrotllaj. Shënimi më i vjetër është ai i kronistit Bizantin Prokopi i Cezares në veprën “De aedificiis” (mbi ndërtimet). Në këtë vepër në mesin e fortifikimeve të meremetuara në Dardani, evidentohet për herë të parë edhe kjo kala me emrin Petrizen, emër që i përket emrit të sotëm të Prizrenit. Kalaja e Prizrenit është përfaqësuesi më i veçantë i një vendbanimi antik, mesjetar dhe po ashtu gjatë periudhës osmane është shfrytëzuar më shumë si garnizon ushtarak. Nga gërmimet arkeologjike të realizuara nga viti 1969 dhe sërish në vitet 2004, 2009-2012, u konstatua që kalaja ruan në vete depozitime të periudhës së bronzit të vonë, antikitetit të vonë dhe për të vazhduar pastaj gjatë gjithë periudhës mesjetare. Kalaja është e rrethuar me mure të larta, me disa kulla dhe porta. Brenda kalasë ruhen gjurmë të shumë objekteve arkitekturore, sidomos nga periudha osmane. Pozita e veçantë e kalasë, vlerat kulturore dhe peizazhi natyror e bëjnë atë destinacion atraktiv turistik. Kalaja e Prizrenit është ndër asetet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Kosovës. Bazuar në vlerat historike dhe shkencore, aseti Kalaja e Prizrenit në vitin 2016 është shpallur në mbrojtje të përhershme nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.
Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore © 2024