Me këtë rast u theksua rëndësia e ruajtjes dhe promovimit të diversitetit kulturor si vlerë e përbashkët e shoqërisë dhe vendit.
Diversiteti kulturor luan një rol të rëndësishëm në ndërtimin e një shoqërie më të hapur, paqësore, bashkëpunuese dhe zhvillimore. Përmes njohjes dhe respektimit të ndërsjellë në mes kulturash të ndryshme, promovohet mirëkuptimi ndërmjet komuniteteve dhe krijohen baza bashkëpunimi e dialogu që forcojnë paqen dhe bashkëjetesën. Në të njëjtën kohë, vlerësimi i diversitetit kulturor kontribuon në zhvillimin shoqëror, ekonomik dhe kulturor të vendit, duke begatuar jetën e përditshme me vlera, tradita, gjuhë, zakone dhe praktika të ndryshme.
Ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe traditave ndihmon në mbrojtjen e identitetit të komuniteteve, ndërsa evitimi i paragjykimeve dhe stereotipeve ndikon në krijimin e një shoqërie të barabartë dhe gjithëpërfshirëse.
Kosova ka një trashëgimi dhe diversitet të pasur kulturor e manifestuar përmes gjuhës, letërsisë, muzikës, veshjeve tradicionale, kulturës së gatimit e ushqimit dhe rolit të saj në jetën shoqërore.
Sot, këto vlera kulturore vazhdojnë të ruhen dhe të jetojnë përmes arsimimit në gjuhë të ndryshme, shoqatave kulturore, aktiviteteve artistike, traditës së muzikës lokale dhe aktiviteteve shoqërore, duke forcuar diversitetin kulturor dhe karakterin multikulturor të vendit.
Gjatë aktivitetit u bë një prezantim mbi kulturën turke që vazhdon të jetojë në Kosovë dhe reflektimet e saj në ditët e sotme.
Po ashtu, u mbajt një prezantim për veshjet tradicionale të komunitetit serb në Kosovë dhe karakteristikat e tyre.