Më 29 Nëntor, në Mynih të Gjermanisë, në aktivitetin e organizuar nga Shoqëria e Akademikëve Shqiptarë – DIJA e.V., morën pjesë dy anëtare të ODK-së Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Znj. Zanita Halimi dhe Znj. Besarta Reçica.
Aktiviteti kishte në fokus Trashëgiminë Kulturore, ku znj. Halimi mbajti një ligjëratë mbi trashëgiminë kulturore në Kosovë, me theks të veçantë në mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e saj.
Më pas, znj. Reçica ishte pjesë e panelit për veshjet shqiptare, ku diskutoi për diversitetin, tipologjitë dhe ngjashmëritë e tyre, si edhe për vlerën e xhubletës, një prej elementeve më të rëndësishme të trashëgimisë sonë të mbrojtur nga UNESCO. Pjesë e panelit ishte edhe znj. Halimi, e cila foli për rolin e diasporës në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe për instrumentet ligjore që e mbështesin këtë proces.
Në kuadër të aktivitetit u hap edhe një ekspozitë fotografike me disa nga asetet e trashëgimisë kulturore të prezantuara nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Znj. Reçica prezantoi rolin e Këshillit si dhe përmbajtjen e ekspozitës. Po ashtu, u ekspozuan edhe pjesë të veshjeve kombëtare familjare, përfshirë elemente tradicionale të ruajtura nga familje shqiptare që jetojnë në Gjermani.
Audienca ishte e larmishme dhe e përbërë nga të gjitha gjeneratat, me një përfaqësim të dukshëm të të rinjve.
Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit shprehën interesim të madh për temën, adresuan pyetje për proceset e ruajtjes së trashëgimisë kulturore, për rolin e institucioneve dhe diasporës në këtë drejtim. Ky interaktivitet tregoi vullnetin e fortë të komunitetit për të kontribuar në ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore falënderon Shoqërinë e Akademikëve Shqiptarë – DIJA e.V. për organizimin, duke theksuar se roli i diasporës ka qenë dhe mbetet jashtëzakonisht i rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore.