Konferenca mblodhi akterë të rëndësishëm nga fusha e trashëgimisë kulturore dhe turizmit, të cilët ndanë përvoja, ide dhe perspektiva mbi mënyrën se si trashëgimia kulturore mund të shndërrohet në një forcë shtytëse të zhvillimit të qëndrueshëm turistik, pa humbur autenticitetin dhe vlerat e saj thelbësore.
Konferenca u hap me fjalën përshëndetëse të Kryetarit të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, z. Artan Krasniqi, i cili theksoi se sot është momenti i duhur për të folur, jo vetëm për potencialin e jashtëzakonshëm që trashëgimia kulturore ofron për turizmin, por edhe për sfidat reale që kërkojnë përkushtim, vizion dhe bashkëpunim. Ai nënvizoi rëndësinë e ripotencimit të vlerave tona kulturore, si dhe domosdoshmërinë e një reflektimi të sinqertë dhe vetëkritik, si bazë për përparim. Në vijim, Kryetari ngriti një pyetje thelbësore për temën: Sa arrijmë t’i ofrojmë sot një turisti që viziton Kosovën nga i gjithë ky potencial i pasur që kemi? Ai vuri në pah pasurinë e jashtëzakonshme të Kosovës – nga sitet arkeologjike dhe qytetet historike me qendrat e tyre të moçme, te kullat e shpërndara gjithandej vendit, trashëgimia fetare dhe toleranca që na karakterizon, peizazhet natyrore, muzetë, traditat, ritualet dhe festivalet, artizanatet dhe gastronomia – duke theksuar se këto vlera përbëjnë një bazë të fortë dhe inspiruese për zhvillimin e turizmit kulturor.
Folesja kryesore e konferencës ishte znj. Celia Martínez Yánez, Zëvendëspresidente e ICOMOS ICTC, e cila prezantoi Kartën Ndërkombëtare të ICOMOS-it për ndikimet e Turizmit në Trashëgiminë Kulturore 2022. Ajo u ndal në konceptet e reja dhe në mundësitë konkrete për zbatim, duke ofruar një vizion bashkëkohor dhe praktik për menaxhimin e turizmit të trashëgimisë kulturore në harmoni me ruajtjen e vlerave.
Në panelin e parë, Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjakovë, z. Visar Haxhibeqiri, prezantoi temën “Trashëgimia Kulturore dhe Turizmi në Gjakovë – një reflektim i shkurtër”, duke nxjerrë në pah potencialet dhe sfidat lokale. Ndërsa, prof. Arbnora Dushi, me prezantimin “Kur trashëgimia frymon, turizmi lulëzon: një rrëfim motivues për Gjakovën”, theksoi fuqinë transformuese të trashëgimisë kulturore kur ajo lidhet ngushtë me zhvillimin turistik dhe komunitetin lokal.
Në sesionin e pasdites, në panelin e dytë, përfaqësueset e ChWB-së znj.Arbenita Gashi Kurti dhe znj.Erza Shala, prezantuan “Planin Master për Lokalitetin Arkeologjik të Dresnikut”, si një shembull konkret i planifikimit vizionar dhe mbrojtjes së trashëgimisë për brezat e ardhshëm.
Tema “Turizmi si promotor i rëndësishëm i Kosovës dhe sfidat” u prezantua nga Drejtori i GuideKS, z. Muamer Hasani, ndërsa për ndërlidhjen e trashëgimisë kulturore me sektorin e turizmit, me fokus në rajonin e Gjakovës, foli z.Endrit Temaj. Prezantimi mbi shtëpitë tradicionale si bujtina, i realizuar nga znj.Shqipe Mula, solli shembuj frymëzues të ruajtjes së identitetit kulturor përmes turizmit familjar dhe autentik.
Konferenca u përmbyll me diskutime konstruktive dhe rekomandime konkrete, duke riafirmuar nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve, ekspertëve dhe komuniteteve lokale, me synimin që trashëgimia kulturore e Kosovës të promovohet në mënyrë të qëndrueshme dhe të shndërrohet në një burim krenarie, zhvillimi dhe frymëzimi për të ardhmen.