Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore zhvilloi vizitë zyrtare në Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Institutin Kombëtar të Regjjistrimit të Trashëgimisë Kulturore në Republikën e Shqipërisë.
Qëllimi i vizitës ishte shkëmbimi i praktikave dhe përvojave profesionale lidhur me proceset që kanë të bëjnë me vlerësimin, mbrojtjen, dhe shpronësimin e trashëgimisë kulturore.
Gjatë këtij takimi, përfaqësuesit e KKTK-së, znj. Besarta Reçica dhe z. Arianit Buqinca, anëtarë të ODK-së, z.Kreshnik Bajraktari, drejtor i përgjithshëm dhe znj. Argjenda Kojqini, zyrtare e lartë për trashëgimi kulturore, u njoftuan dhe diskutuan për procesin e vlerësimit financiar të aseteve të trashëgimisë kulturore të paluajtshme, procesin e nominimeve dhe përgatitjes së dosjeve për UNESCO, listën kombëtare të trashëgimisë kulturore (të paluajtshme dhe shpirtërore), mundësitë e bashkëpunim institucional ndërshtetëror në kuadër të agjendës së përbashkët dhe programeve ndërkombëtare si IPA dhe Horizon Europe si dhe aktivitete të tjera nga fushat e trashëgimisë kulturore.
Gjatë vizitës, përfaqësuesit e KKTK-së morën pjesë edhe në Konferencën ndërkombëtare të organizuar me rastin e 60-vjetorit të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, ku u ndanë praktikat më të mira institucionale dhe përvojat profesionale në fushën e trashëgimisë kulturore.
Po ashtu, u zhvillua një takim me përfaqësues të Universitetit Polis në Tiranë, për të shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit të ardhshëm në fushën e edukimit dhe kërkimit shkencor për trashëgiminë kulturore.
KKTK mbetet e përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit ndërshtetror dhe në avancimin e praktikave për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore.