Tryeza mblodhi akterë të ndryshem dhe të rëndësishëm nga fusha e trashëgimisë kulturore. Kryetari i Këshillit, Artan Krasniqi tha se ky aktivitet është në vazhdën e aktiviteteve për nxitjen e diskutimit dhe veprimit tek të gjitha institucionet përgjegjëse që të rritet numri i aseteve dhe elementeve të trashëgimisë kulturore me status të mbrojtjes së përhershme.
Anëtari i Këshillit, Arianit Buqinca, nënvizoi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të pasurisë kulturore të vendit, duke bërë të ditur se Kosova ka aktualisht 93 asete në mbrojtje të përhershme. Sipas të dhënave të prezantuara, Prizreni ka mbi njëzet monumente në mbrojtje të përhershme, përfshirë edhe Zonën Historike, ndërsa Prishtina mbi pesëmbëdhjetë. Parku Arkeologjik Ulpiana, objekti administrativ i Lidhjes së Prizrenit dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës, dëshmojnë që trashëgimia institucionale është jo vetëm kujtesë historike, por edhe shtyllë e identitetit shtetëror.
Shefi i Degës së Historisë në Institutin Albanologjik, Nuridin Ahmeti, theksoi rëndësinë e trashëgimisë së shkruar, e cila shpesh nuk ka marrë vëmendjen e duhur institucionale dhe publike. Ai përmendi dy shembuj historikë: Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë (1912), e ruajtur vetëm në fotografi, dhe Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972), e ruajtur falë kujdesit institucional.Ahmeti shtoi se sot është detyrë institucionale të mbrohet dhe vlerësohet trashëgimia jonë e shkruar, si Deklarata e Pavarësisë së Kosovës (2008), e cila përfaqëson sakrificën dhe përpjekjet e brezave për liri. Ky dokument meriton vëmendje të vazhdueshme dhe shpallje si trashëgimi kulturore e mbrojtur përherë. Ai propozoi gjithashtu që Deklarata të prezantohet edhe në formë monumentale, si pllaka të skalitura në oborrin e Kuvendit të Kosovës ose në ndonjë shesh të madh të kryeqytetit, për ta bërë atë të qasshme dhe në një vend të nderuar për publikun.