• KKTK - Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore
  • SKKN - Savet Kosova za Kulturno Nasleđe
  • KCCH - Kosova Council for the Cultural Heritage

Hidroelektrana – Muzeu i Elektroekonomisë

Është ndërtuar në vitin 1926-28, ndodhet në kilometrin e tretë të rrugës Prizren – Brezovicë, në bregun e djathtë të Lumëbardhit. Hidroelektrana – Muzeu i Elektroekonomisë ka furnizuar qytetin e Prizrenit me rrymë elektrike prej vitit 1929 deri në vitin 1973. Nga viti 1979 është shndërruar në Muze të Energjisë Elektrike të Kosovës. Hidroelektrana paraqet një ndërtesë me rëndësi në historinë e zhvillimit të energjisë elektrike në Kosovë, si dhe njërin prej objekteve të para industriale me një trajtim të veçantë arkitektonik. Objekti ka pasur elementet moderne të asaj kohe: turbinat e ujit, pjesën për pastrimin e ujit nga mbeturinat, kanalin, pajisjet për përcjelljen e ujit gjer në turbinë dhe gjeneratorin me fuqi 160 kw. Qasja në ndërtesë bëhet nga veriu përmes urës nga betonarmeja, të ndërtuar njëkohësisht me ndërtimin e ndërtesës. Qasja në përdhes bëhet nëpërmjet portës së drurit, nga ana veriore. Në përdhes gjenden dy hapësira: vendi ku gjenden gjeneratorët, dhe hapësira e makinerisë. Pas shndërrimit në muze dhoma e makinerisë shfrytëzohej si hapësirë e ekspozimit, ku janë të ekspozuara eksponatet që tregojnë zhvillimin e elektroekonomisë në Kosovë. Kyçja në katin e parë bëhet përmes shkallëve të jashtme, të vendosura në murin lindor të objektit. Në katin e pare gjendet dhoma e kujdestarit të hidroelektranës, e cila pas shndërrimit në muze shfrytëzohej si bufe dhe depo. Fillimisht një pjesë e katit të parë ka qenë e mbuluar me kulm të rrafshët, dhe qasja realizohej nga ana veriore e dhomës së inxhinierit. Më vonë kulmi i rrafshët është mbuluar me kulm të pjerrtë njëujor të mbuluar me tjegulla argjile. Kurse në katin e dytë, një pjesë e kulmit është i rrafshët dhe shfrytëzohej si terrasë verore. Në oborr, krahas, urës dhe bregut të lumit, gjenden trafostacioni i vjetër dhe nyjet sanitare të ndërtuara në afërsi të kompleksit. Bazuar në vlerat Historike, artistike, shoqërore, ambientale, shkencore dhe rariteti, aseti Hidroelektrana – Muzeu i Elektroekonomisë në vitin 2016 është shpallur në mbrojtje të përhershme nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

  • Komuna: Prizren
  • Koordinatat: 42.207015 20.754232
  • Data e shpalljes: 06.10.2016
  • Perimetri i asetit: 0.33 ha
  • Zona e mbrojtur: 0.86 ha

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore © 2024