• KKTK - Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore
  • SKKN - Savet Kosova za Kulturno Nasleđe
  • KCCH - Kosova Council for the Cultural Heritage

Kalaja e Korishes

Kalaja e Korishës gjendet në juglindje të fshatit Korishë, në një pozicion dominant për fushën e Prizrenit dhe gjithë Rrafshin e Dukagjinit. Vendbanimi prehistorik dhe antik i Korishës ka vlera arkeologjike dhe historike. Daton prej periudhave parahistorike, antikitet i vonë e deri tek periudha e hershme bizantine. Gërmimet arkeologjike të zhvilluara në vitin 2002 dhe 2004 në kodrën e kalasë së Korishës, e njohur me mikrotoponimin Gralishta, nxorën konturat dhe u dokumentua planimetria e një kishe paleokristiane të shekullit VI. Kisha në fjalë gjendet brenda arealit të brendshëm të fortesës dhe ka një absidë të orientuar drejt lindjes. Po në këtë pjesë u evidentuan gjurmë të sinkronit të konstruktuar në formë të shkallëzuar e në trajtë trapezi. Në kuadër të hapësirës së altarit u evidentuan edhe pjesë të kangjelës. Sa i përket materialit të lëvizshëm arkeologjik, këtu dolën në dritë disa fragmente enësh qeramike të datimit parahistorik me siguri që lidhen me lokalitetin përballë të periudhës së bronzit të mesëm, si dhe fragmente të enëve të ndryshme si amfora, pitosa, vorba, kana etj, të datimit të fundit të antikitetit të vonë, shek. VI. Karakteristike e veçantë e kalasë përveç murit rrethues janë edhe katër mure me gjatësi prej 25-40 m që zbresin nga të katër faqet e kalasë dhe që në fund të murit duken gjurmët e kullave mbrojtëse. Bazuar në vlerat arkeologjike dhe historike, aseti Kalaja e Korishës në vitin 2016 është shpallur në mbrojtje të përhershme nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

  • Komuna: Prizren
  • Koordinatat: 42.251144 20.799641
  • Data e shpalljes: 06.10.2016
  • Perimetri i asetit: 5.55 ha
  • Zona e mbrojtur: 15.46 ha

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore © 2024